Pages

June 5, 2022

Fluturim mbi Erzen, me Zipline Albania

Tirana është plot supriza, tashmë një kryeqytet që i ofron të gjitha, që nga turizmi kulturor, turizmi i eventeve, turizmi kulinar, i aventurës etj

Sot Visit Tirana ju prezanton  një nga aktivitetet më të veçanta, që për të gjithë ju do jetë një experiencë e paharrueshme. Është një aktivitet aq i sigurt, sa rekomandohet pa kufizim për gjithë moshat mbi 10 vjeç. Një fluturim me Zipline Albania, me një pamje spektakolare, ku në njerën anë ngrihet madhështore Kalaja e Petrelës, dhe poshte lumi i Erzenit dhe kodrat e mrekullueshme të gjelbëruara. Është linja më e gjatë e Zipline në Ballkan, prej rreth 1 km e gjatë dhe vetëm disa km larg Tiranës. Një eskperiencë e re që i është shtuar kryeqytetit disa muaj më parë, dhe që sot me të drejtë mund të themi se është nga ofertat turistike më unike të Tiranës.  


Udhëtimi drejt Petrelës

U nisëm nga Tirana pasdite, pasi perëndimi është momenti i preferuar. Morëm rrugën dytësore Tirane -Elbasan, ose mund të merrni autostradën dhe te ktheheni te kthesa e Mulletit. Për të shkuar te Zipline Albania janë dy mënyra. Ose ndaloni në stacionin fundor të Zipline në rrugën dytësore përballë restorant 'Octopad'. Ose merrni rrugën e Petrelës, dhe ndaloni pikërisht në stacionin malor ku nis fluturimi juaj. Eshtë shumë e thjeshtë ta dalloni, në të majte ku të ndaloni, pasi janë gjithë reklamat e logos se Zipline.

E rekomanduar është që të parkoni në stacionin fundor, pasi parkimi është i garantuar dhe është me e lehtë për ju që kur të mbaroni zbritjen, të merrni makinën për t’u kthyer në shtëpi. Aty ju pret nje makinë e Zipline Albania që ju çon lart në Petrelë, te pika e nisjes së fluturimit.


Gati për nisje

Kur mbërrini në stacionin e nisjes, dy djem të stafit do ju veshin uniformën dhe do instruktojnë për gjithë fluturimin. Kujdes lexoni dhe gjithë rregullat në një tabelë të dukshme para nisjes. Nëse keni ndonjë problem shendetësor duhet të flisni me stafin. Rregullat e tjera përfshijnë që nga kapja e flokeve, heqja e aksesorëve, celulare, celësa të cilat mund t’ju humbin gjatë fluturimit. Mire është të keni veshur atlete dhe jo shapka pasi dhe ato mund t’ju bien. Megjithatë djemtë e stafit do ju asistojnë me çdo gjë, që të mos ju humbë asgjë gjatë fluturimit. Porosia kryesore që ju japin, është të mos kini frike. E vetmja gjë që mund t’ju trembë pak është era që fryn e cila dhe mund t’ju rrotullojë pak në zbritje ku shpejtësia është më e lartë, por që pastaj gjithçka stabilizohet kur ulet shpejtësia fillestare deri mbërrini në destinacion.



Fluturimi

Frika është njerëzore, dhe ai që nuk e ka bërë asnjëherë teksa sheh poshtë lumin, lartësinë e kodrës dhe largësinë e destinacionit mbërritës është normale që të frikësohet. Por sapo të lidhin fort, dhe kur sheh dhe qetësinë e stafit, e veçanërisht nëse ke parë para teje dikë tjetër që u nis dhe përveç ndonjë thirrjeje lumturie e adrenaline, nuk dëgjon asnjë zë paniku, je i bindur se as ty nuk do të ndodhë asgjë. Dhe ja sapo djemtë të pyesin: A je gati? Ti tund kokën dhe litari lëshohet. Ti je ne ajër, je në fluturim, me krahët hapur, këmbet drejt, lart si zog mbi natyrë. Zbret si me parashutë në një luginë aq të bukur e të gjelbëruar. Kalaja e Petrelës lartësohet anash, mbi kokë, sikur të garanton më shumë siguri e mbrojtje. Poshtë mrekulli e gjelbër, lumi i kaltër, disa shtëpi të vogla, fusha të mbjella e të korrura. Gjithçka si ëndërr. Frika eshtë zhdukur, pasi shpejtësia fillestare është ulur, dhe ti ke mundësi të vështrosh me kënaqësi perreth ndërsa fluturimi yt vazhdon. Të duket se ai udhëtim zgjat shumë, pasi është kaq e pazakontë që ti rri në ajër, lëviz mes natyrës, pa përdorur këmbët e tua. Mund të thërrasësh me zë të lartë sa të duash e të çlirosh gjithë energjitë negative që ke marrë nga dita, punët apo hallet e përditshme. Askush nuk të dëgjon, natyra është aleati yt. Por ja duket tej stacioni i mbërritjes, stafi i Zipline të përshendet me dorë, të bën me shenjë që të hapësh krahët për të patur foton më të bukur të jetës tënde. Nëse dikush të fotografon në zbritje, ju sigurojmë që është pamja më e bukur, pasi prapa është kodra që ke zbritur dhe gjithë eksperienca që ke përjetuar. Të kap pak ajo frika e zbritjes, një kërcitje e lehtë e kabllove dhe ja ku je, këmbët prekin tokën. 

-Uau….. Zbrita, ja dola! Çfarë adrenaline, çfarë mrekullie. Fluturova! Kthen kokën pas për të parë gjithë rrugën që ke bërë. Tani jo e frikshme, por të duket si diçka që të vjen të kthehesh e ta bësh, dy herë, tre herë. Sërish. Sepse nuk mjafton. Stafi aq miqësor të pyet për gjithë eksperiencën teksa të ndihmon të heqesh uniformën. -Si u ndjeve, patë frikë, he si t’u duk? Mos hezitoni të thoni përshtypjet tuaja, pasi për stafin punëtor është motivim që ju kanë kënaqur e që do vini prapë, ose do sillni miq të tjerë. 


Eksperiencë super. Mrekullia është sepse mund ta provosh sa herë të duash.  

E sigurt dhe për të gjitha moshat

Duket si sport për të rinjte, por është kaq i sigurt sa të gjthë duhet ta provojnë të paktën një herë. Stafi na tha se mosha më e madhe që e ka provuar ka qenë 85 vjeç, por dhe fëmijë 10 vjeç. Eshtë vënë një kufi moshe, pasi jo vetem frika normale e një fëmije që nuk e ka prindin pranë, por dhe pesha e vogël trupore, mund të bëjë që era ta rrotullojë disa herë teksa fluturon. Absolutisht rrotullimi në ajër mund të jetë shumë argëtues për disa fëmijë aventurierë apo dhe për të rritur nën 35 kg. Por një gjë e themi me bindje. Siguria e këtij fluturimi është maksimale, absolutisht i rekomandueshëm për të gjithë dhe për familjarë. 


Zipline Albania

Jemi me fat të kemi në Tiranë një mundësi të tillë për të provuar eksperiencë dhe adrenalinë. Jemi me fat që disa djem inxhinierë shqiptarë, të shkolluar në perëndim, jo vetëm kthehen, por krijojnë një gjë kaq të  bukur unike, ndoshta të denjë për kryeqytetet më të zhvilluara e më të pasura. Ka shumë të rinj që ngrenë restorante e agroturizëm por të marrësh një guxim të tillë, në një terren ku as nuk e di sa do funksionojë, duhet vertet guxim heronjsh. Një produkt shqiptar, me djem punëtorë dhe idealistë shqiptarë që donin të sillnin dicka ndryshe për Tiranën tonë, duke i dhënë vlerë turizmit të kryeqytetit. Për ndërtimin e kësaj vepre, janë dashur 5 vite pasi gjithcka është bërë me studim, me materialet më të forta e më të sigurta të mundshme. Por mbi të gjitha është zgjedhur një zonë ideale, aq pranë Tiranës, perfekte për të qenë pjesë e guidave turistike të kryeqytetit, por lehtësisht e vizitueshme nga gjithë ata që banojnë në kryeqytet. Dy orë nga dita jote, dhe mund të rikthehesh të vazhdosh jetën dhe punët e shumta në Tiranë me energji të jashtëzakonshme. Pra nuk është destinacion thjesht fundjave, por destinacion i perditshem. Në vend të konsumoni kohë cdo ditë pa fund në baret e qytetit, ngjituni për pak çaste këtej dhe e sigurt që do ktheheni ndryshe. Madje tani në verë, Perëndimi është absolutisht momenti më i bukur për ta shijuar fluturimin tuaj. Nuk ju duhen më shumë se dy orë përfshi dhe rrugën vajtje ardhje, për ta shijuar tamam. Cmimi i biletës është shumë simbolik për një ekperiencë të tillë, vetëm 15 eur/personi. 


Zona e Petrelës

Zipline është super e arritshme më cdo mjet. Dhe me autobusat publike që shkojnë në fshatrat rrotull, përfshi Petrelë, Mullet e më tutje, dhe sigurisht me makinë e bicikletë. Çdo njeri vec kësaj adrenaline të pazakontë, mund të vizitojë Kalane e Petrelës që ka qënë aty prej shekujsh, Kalaja që Skenderbeu ndertoi për motren e tij Mamica, jo vetëm që është e bukur dhe e fortë, por ka dhe një restorant të mrekulluehem, dhe pamje spektakolare. Pak më tutje, përballë Petrelës, për të gjithë të apasionuarit e kulturës, ndodhet Kalaja e Persqopit, rrënoja, por me një histori për të treguar, një qytet antik i shekullit IV. Zona ofron jo vetëm lumin e Erzenit, të cilin mund ta shfrytëzoni për plazh në këto ditë të nxehta, madje një plazh me emrin e Mamicës gjendet pranë Iluminatum, por aty rrotull ka dhe një numër të madh fermash agroturistike me ushqim fantastik dhe natyre të mrekullueshme. Janë gjithashtu një numër i madh pishinash dhe resortesh, ku mund të shpenzoni kohën tuaj. Por mos harroni, pa një fluturim me Zipline, udhëtimi në këtë zonë nuk është i plotë, pasi një ecje dhe një drekë janë bërë kaq rutinë në fundjavat tona. Zipline i ka dhënë vlerë gjithë kësaj rrethine të Tiranës, dhe gjithë turizmit unik të kryeqytetit. Shijojeni!

Visit Tirana

No comments:

Post a Comment