Pages

September 8, 2018

Festa n'Shesh, dasëm mes vreshtave


Festat lokale zbritën sot në Ndroq, me eventin festiv "Vera n'Shesh", i organizuar nga Bashkia Tiranë dhe DMO Albania, financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Risi Albania

Vera n'Shesh mori këtë emër për shkak të vreshtave të fshatit SHESH, 15 km larg Tiranës, ku e ka origjinën dhe variteti më i rëndësishëm i prodhimit të verës në Shqipëri, rrushi Sheshi i Bardhë dhe Sheshi i Zi. Pikërisht kjo zonë mes vreshtave u zgjodh nga organizatorët për të celebruar traditën e verës në Tiranë, ku ndodhen dhjetra kantina që me përpjekjet e tyre po krijojnë verë cilësore e cila jo vetëm tregtohet në Shqipëri, por shkon dhe për eksport. 

Sheshi i Bardhë dhe Sheshi Zi, përfaqëson rreth 35 % të rrushit të përpunuar për prodhim vere në vend, dhe për këtë arsye kjo festë u zhvillua në zonën e Sheshit, pranë fshatit Pinet. Tashmë kjo festë synon të kthehet e përvitshme për të celebruar traditën e verës tonë, prodhuar nga ky varietet unik.

Festa

Gjithcka nisi me një panair të pasur me produkte shqiptare të zonës, përfshi rrush, dhe produkte të rrushit, si recel apo komposto, produkte të tjera djathi, vaj ulliri dhe gatime të zonës. Nuk mund të mungonte vera, e cila mund të degustohej dhe të shijohej gjatë gjithë kohës për të gjithë të pranishmit në festë.

Ansambli i valleve të Tiranës dha një shfaqje si gjithnjë fantastike, duke ngritur njerëzit të kërcejnë dhe të krijojnë rreth të madh përgjatë gjithë zonës plot me vreshta.

Pyetëm banorët nëse janë të lumtur që kjo festë po zhvillohet këtu. Ata u shprehën të entuziazmuar për këtë festë, duke shpresuar që cdo vit të mbledhë më shume njerëz dhe prodhimet e tyre të pëlqehen dhe promovohen. Ata thanë se zona është mjaft e pasur me pemë frutiere, përfshi mollë, shegë, ide (ose xinxife), por gjithashtu ullinjtë nuk mungojnë. Tani në periudhën e vjeljes së rrushit ata shprehen se janë të kënaqur pasi kanë mundur ta shesin gjithë prodhimin në qytet, si për konsum ashtu dhe për prodhim vere në kantinat e ndryshme. Kjo është periudha më e artë e vitit kur ata mundin të mbledhin të ardhura mjaftueshëm si nga rrushi dhe nga ullinjtë për të përballuar shpenzime të tjera gjatë vitit.
I pranishëm në festë ishte kryetari i Bashkisë z Erjon Veliaj, i cili vizitoi me radhë gjithë stendat e panairit dhe përshëndeti e takoi banorët duke i pyetur për punët dhe jetën e tyre.

Eventi Vera n"shesh vazhdoi deri në orët e mbrëmjes, ku pjesa tjetër përfshiu argëtime e lojëra për të rinjtë.

Eventi do të përsëritet vitin që vjen në Shtator, duke synuar të sjellë dhe turistë në këtë zonë.

No comments:

Post a Comment