Pages

December 11, 2017

Dajti N’ Fest, atje ku i bëhet jehonë maleve

Parku i Dajtit përveç bardhësisë së borës që i jepte një hijeshi të mahnitshme, sot kishte ngjyra akoma më të bukura, veshjet tona tradicionale të punuara nga artizanët e zonave të ndryshme. Dita e Maleve nuk mund të festohej më bukur në malin e Dajtit, me këngë e me valle të trojeve të Shqipërisë tonë. 

Të rinj e të vjetër ishin mbledhur sot për t’i bërë jehonë maleve. 
Zjarret e ndezura në shesh i sillnin njerëzit më pranë skenës dhe panairit ku zhvillohej aktiviteti. Nuk mund t’i shpëtoje buzëqeshjes dashamirëse të zonjave, të cilat kishin ardhur posaçërisht për këtë event për të prezantuar punimet e tyre në tesha.

Fëmijët ishin ata që i gëzoheshin më shumë borës dhe gatimeve tradicionale pranë zjarrit. Ishte një panoramë kaq e bukur saqë i ftohti nuk ndihej. Të gjithë kërcenin me muzikën popullore, disa provonin rakitë dhe verërat e prodhuara nga banorët e zonës së Dajtit.
Për të rinjtë ishte menduar dhe aktiviteti i cross fit në borë, të shumtë ishin ata që i’u bashkuan kësaj stërvitje duke e marrë si sfidë dhe duke u argëtuar.

Për të apasionuarit e sporteve ajrore sot ishte një lajm i mirë sepse u inagurua pista e Paragliding dhe fluturimeve me balonë.


Dajti N’Fest u organizua në kuadër të ditës së maleve nga Agjencia e Parqeve të Rekrecionit të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me EDS Foundation, AKZM dhe UNDP. 

No comments:

Post a Comment